Spitali i Gjakovës për rastin e 4-vjeçares: Pati mbikëqyrje profesionale mjekësore

  • E.K /
  • 21 February 2024 - 14:02
Spitali i Gjakovës për rastin e 4-vjeçares: Pati mbikëqyrje profesionale mjekësore

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ka reaguar në lidhje me rastin e vajzës 4-vjeçare që ka vdekur të martën në QKUK dhe e cila fillimisht ishte trajtuar në këtë spital, përcjell "Kosova Sot Online".

Pas dyshimeve të ngritura nga prindërit se personeli mjekësor e ka neglizhuar rastin e vajzës së tyre duke shkaktuar fatalitet, nga Spitali i Gjakovës kanë thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet.

Njoftimi i plotë:

Spitali i Përgjithshëm "Isa Grezda", në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë.

Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar.

Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet.

Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.

Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen.

(Kosova Sot Online)