Xhaferi: Ndërhyrja e Albin Kurtit në zgjedhje do të dëmtonte vetëm imazhin e Kosovës

  • A.P /
  • 29 February 2024 - 16:25
Xhaferi: Ndërhyrja e Albin Kurtit në zgjedhje do të dëmtonte vetëm imazhin e Kosovës

‘Ndërhyrja’ e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhje do të dëmtonte vetëm imazhin e institucioneve të Kosovës, si dhe imazhin e Kosovës karshi faktorit ndërkombëtar, ka deklaruar kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

I pyetur se sa ka ndikim ndërhyrja e Kurtit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mbështetja ndaj opozitës, kryeministri i RMV tha se me këtë i bëhet dëm i madh Kosovës, e jo proceseve që bëhen në RMV.

Xhaferi e cilësoi një gjë të tillë si vendimarrja personale të kryeministrit të Kosovës.

“Nuk është në pyetje sa dëmton proceset, është në pyetje sa dëmton imazhin e Republikës së Kosovës kundrejt faktorit ndërkombëtarë dhe imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës kundrejt obligimeve që ka si institucion Kryeministri në Republikën e Kosovës. Dëmi më i madh po bëhet vet Kosovës se sa që proceseve ju bëhet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë çështje jemi deklaruar disa herë. Është çështje e vendimarrjes personale të Kryeministrit të Kosovës”, tha Xhaferi për “Fax News Albania”.

Në fund të muajit janar, gjatë një vizite në Shkup, Kryeministri Kurti kishte thënë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare atje që mbahen më 8 maj.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, kishte deklaruar Kurti.

Lidhja Evropiane për Ndryshim e përbërë nga Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike më 24 dhjetor 2023 gjatë hapjes së zyrës së këtij koalicioni paralajmëroi se këtij fronti i është bashkëngjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike aso kohe tha se së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje do të sjellin ndryshimin në RMV.

Megjithatë, Izet Mexhiti kishte sqaruar se përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që do të jenë në listat e përbashkëta të kandidatëve për deputetë, nuk do të paraqiten si parti, por si individë.

“Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë në listat e përbashkëta si individë, jo si parti. Ata kanë të njëjtat bindje si ne dhe tashmë janë pjesë e koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim. Këshilltari i Albin Kurtit për Maqedoninë, Bekim Qoku, është strugan, është shtetas i Maqedonisë dhe dikur ka qenë deputet në Kuvend, kështu që asgjë nuk e pengon të jetë në listën e kandidatëve për deputet”, kishte thënë Mexhiti.

(Kosova Sot Online)