Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës të Kosovës braktis Kongresin e Selanikut, shkak publikimi i tij nën shtetin e Serbisë

  • E.K /
  • 05 March 2024 - 14:05
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës të Kosovës braktis Kongresin e Selanikut, shkak publikimi i tij nën shtetin e Serbisë

Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës të Kosovës, Hekuran Nikçi, është larguar nga Kongresi Ballkanik për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili u mbajt të hënën në Selanik, për shkak të publikimit të emrit të tij si përfaqësues i Serbisë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Këtë e ka konfirmuar Inspektorati i Punës.

Sipas këtij njoftimi me datë 4 mars Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi pas pranimit të ftesës dhe konfirmit të saj për të marrë pjesë në kongresin në fjalë, Nikçi kishte mbërritur në Selanik pasditen e së dielës të 3 marsit për të marrë pjesë në kongres mëngjesin e së hënës të 4 marsit.

“Por, pasi janë publikuar në faqen zyrtare të kongresit emrat dhe shtetet që përfaqësojnë të folësve të kongresit ku ishte edhe Nikçi, emri i këtij të fundit u publikua nga organizatorët e kongresit nën shtetin e Serbisë për çka z. Nikçi e braktisi këtë kongres”, thuhet në njoftim.

Në email-in dërguar organizatorit të kongresit Targoutzidis, z. Nikçi mes tjerash është shprehur, “Për shkak të paraqitjes time në faqen zyrtare të kongresit tuaj nën shtetin e Serbisë, i fyer ju njoftoj se më duhet ta braktis kongresin tuaj.”

(Kosova Sot Online)