Paraburgim për të dyshuarin i cili kreu grabitje në një barnatore në Prishtinë

  • A.P /
  • 05 March 2024 - 17:37
Paraburgim për të dyshuarin i cili kreu grabitje në një barnatore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit A.Sh. për veprat penale “Grabitje”, “Grabitja në bashkëkryerje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykata njofton se “A.SH me datë 21.02.2024 rreth orës 09:45, në barnatoren Melisa në Ulpianë – Prishtinë, kishte hyrë i maskuar me kapelë në kokë dhe shallë në fyt, i cili nën kërcënimin e armës/thikës i është ofruar të dëmtuarës A.A dhe nga e njëjta ka kërkuar metadon, duke i vendosur thikën në stomak, për çka e dëmtuara nga frika e ka njoftuar për vendin se ku ka qenë i vendosur metadoni, i pandehuri nga barnatorja kishte arritur që të marrë metadon në sasi prej njëzet e pesë copë si dhe disa shiringa në vlerë totale prej rreth shtatëqind e pesëdhjetë euro dhe i njëjti ishte larguar në drejtim të panjohur. I njëjti edhe me datë 04.03.2024, rreth orës 10:25 në po të njëjtën barnatore, në bashkëkryerje së bashku edhe me një person N.N, tani për tani të panjohur, ka hyrë në barnatore dhe përsëri nën kërcënimin e thikës ka depërtuar në depon ku mbahet metadoni ku pas kësaj e dëmtuara ka aktivizuar panik alarmin dhe është larguar nga barnatorja duke e lënë të pandehurin në barnatore, ku i pandehuri ka marrë një sasi prej rreth 600 eurove (gjashtëqind) euro si dhe ka hapur një metadon të cilin e ka pirë, mirëpo i pandehuri nuk ka arrit të dal nga lokali, pasi që barnatorja është mbyllur me rrjetën e jashtme të hekurit, ku me këtë rast i pandehuri ka mbetur brenda barnatores, derisa ka arritur njësia policore e cila edhe e ka bërë arrestimin e tij”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)