Kështu dukej Albin Kurti në klasën e parë

  • E.K /
  • 07 March 2024 - 14:49
 Kështu dukej Albin Kurti në klasën e parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e Ditës së Mësuesit, ka vizituar shtëpinë e mësueses së parë të tij, përcjell “Kosova sot Online”.

Kurti është pritur nga familjarët teksa vajzës së mësueses ia dhuroi një buqetë me lule dhe një fotografi nga viti 1982.

Fotografia ishte nga klasa e parë.

Postimi i plotë:

Në mëngjesin e sotëm isha për vizitë te familja Dobruna në Gjakovë, në shtëpinë në të cilën është lindur mësuesja ime e parë Nafije Dobruna Deva. Evokuam kujtime të shumta e të paharrueshme me vajzën e mësueses, Afërditën, në këtë shtëpi të vjetër më shumë se dy shekuj, e ku tani banon kolegu im nga qeveria, Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

Mësuesja Nafije ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë: sado nxënës i mirë të kesh qenë, asnjë pesëshe nuk ka qenë e kollajshme. Ajo ka dhënë një kontribut të pamatshëm për arsimimin, edukimin e formimin tim, krahasueshëm me nënën time.

Jeta e saj ka qenë e vështirë. Babai, Ismaili, i internuar për dy vjet në burg në Vjenë si NDSh-ist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës bie në varfëri meqë pushteti i atëhershëm ia rrëmben pasurinë. Ai vdes pak vjet më pas. Nëna, Qazimja i rrit pesë fëmijë jetim. Më e madhja, Nafija, e mbaron Shkollën Normale dhe bëhet mësuese.

Përveçse një buqetë me lule, Afërditës ia dhurova fotografinë e klasës I/4 me mësuesen Nafije, nga qershori i vitit 1982. Mandej nga klasa e dytë fotografitë zënë e bëhen me ngjyra.

Falënderoj familjen Dobruna për mikpritjen e përzemërt në Ditën e Mësueses.

Urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!

(Kosova Sot Online)