Weber: Lëvizjet e tilla të Qeverisë së Kosovës mund të ndikojnë në anëtarësimin e Kosovës në KIE

  • A.P /
  • 07 March 2024 - 17:00
Weber: Lëvizjet e tilla të Qeverisë së Kosovës mund të ndikojnë në anëtarësimin e Kosovës në KIE

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se çështja e kthimit të pronës te Manastiri i Deçanit duhet parë ekskluzivisht si çështje teknike, sepse bëhet fjalë për sundimin e ligjit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Është një çështje që nuk ka kuptim të politizohet, çfarëdo që të mendojnë politikanët për të. Është një vendim përfundimtar dhe, faktikisht, kur flasim për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, është një lloj kushti i drejtpërdrejtë”, ka thënë Weber.

Ai thotë se çështja e Manastirit të Deçanit përmendet si pengesë edhe në raportet e ekspertëve dhe deputetëve në Këshillin e Evropës.

Do të ishte një shenjë pozitive, shton Weber, nëse Qeveria e Kosovës do ta zgjidhte tani çështjen e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit ortodoks.

“Atëherë do të ishte vërtet e vështirë për shtetet anëtare, veçanërisht ato që mbështesin Kosovën e pavarur, të mos votojnë pozitivisht për aplikimin e Kosovës. Është e vështirë të parashikohet se cili do të ishte rezultati i votimit në atë kontekst, kur kemi bllokim të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]. Por, Kosova sigurisht se do ta përmirësonte pozicionin e saj nëse më në fund do ta zbatonte vendimin për Manastirin e Deçanit”, thotë Ëeber.

A ka edhe kushte të tjera?

Weber nuk e përjashton mundësinë që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës të mos e bazojnë vendimin e tyre për pranimin e Kosovës në këtë organizatë vetëm në kushte teknike, por në “motivimin politik”.

Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi në fillim të shkurtit se lëvizjet e njëanshme të Kosovës i kufizojnë mundësitë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të lobojnë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Ai reagoi kështu pasi Qeveria e Kosovës i shpërfilli thirrjet e shteteve perëndimore për pezullimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e heq dinarin serb nga qarkullimi.

Bashkësia ndërkombëtare mendon se kjo rregullore ndikon negativisht te komuniteti serb në Kosovë, i cili merr të ardhura nga buxheti i Serbisë.

Weber beson se lëvizjet e tilla të Qeverisë së Kosovës mund të ndikojnë negativisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai shton se kjo çështje mund të kushtëzohet me përparimin në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën dy palët e pranuan vitin e kaluar, me propozim të Bashkimit Evropian.

“Ai [dialogu] ka lidhje me këtë, sepse Kosova ka nevojë për mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, vlerëson Weber, sipas rel.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka paralajmëruar më herët se do të përpiqet ta pengojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve është dakorduar që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.


(Kosova Sot Online)