Publikohet aktgjykimi që aprovoi kompensimin e qytetarëve me mbi 40 milionë euro

  • A.P /
  • 11 March 2024 - 16:08
Publikohet aktgjykimi që aprovoi kompensimin e qytetarëve me mbi 40 milionë euro

Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar aktgjykimin në rastin ku Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka kërkuar të bëhet vlerësimi i kushtetueshmërisë së aktgjykimit të 9 marsit të Gjykatës Supreme e cila vendosi për kompensimin e qytetarëve që paguan për rrymën e shpenzuar në Veri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Shuma e kompensimit është 40 milionë e 855 mijë e 480 euro (40.855.480.00 euro)

Gjykata ka konstatuar se kërkesa është e pranueshme dhe se aktgjykimi i Supremes nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në aktgjykim thuhet se Avokati i Popullit kishte ngritur padi për anulimin e vendimit të 6 shkurtit 2012 të ZRRE’së “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike” dhe kërkesën për kompensimin e dëmit të konsumatorëve të cilëve u është faturuar energjia e shpenzuar në katër komunat veriore.

“Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e Avokatit të Popullit (i) për anulimin si të kundërligjshëm të Vendimit të 6 shkurtit 2012 të Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”; si dhe (ii) kërkesën për kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës. Avokati i Popullit para gjykatave të rregullta kishte pretenduar, ndër tjerash, që (i) faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët e tjerë që banojnë në komunat tjera të Republikës së Kosovës, paraqet shkelje të Ligjit nr.05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe Ligjit nr.05/L-085 për Energjinë Elektrike; dhe (ii) kjo praktikë e faturimit paraqet shkelje të së drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe shkelje të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.”

Në aktgjykim thuhet se Gjykata Themelore kishte anuluar këtë vendim të ZRRE’së dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, vendim që më pas ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe Supremja.

Sipas gjykatave ZRRE faturimi i rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore tek qytetarët e tjerë të Kosovës kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve.

“Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm Vendimin e lartcekur të Zyrës për Rregullatorin për Energji dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës për periudhën 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, në vlerën prej dyzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë euro (40.855.480.00 EUR). Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe Ligjit nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sepse nuk ka pasur qëllim legjitim dhe proporcionalitet ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar.”


(Kosova Sot Online)