Gjendet i vdekur mjeku i njohur në Shkup, djemtë e tij e gjetën në makinë

  • E.K /
  • 22 March 2024 - 14:06
Gjendet i vdekur mjeku i njohur në Shkup, djemtë e tij e gjetën në makinë

Mjeku i familjes Aco Trpovski është gjetur i vdekur në afërsi të poliklinikës “Zelezara” në Shkup, ka konfirmuar për mediat e Shkupit drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Aleksandar Veljanovski.

Trupi i mjekut është gjetur mbrëmë rreth orës 23:00 në një makinë me plagë me thikë në të gjithë trupin. Trpovski ishte 67 vjeç dhe merrej me praktikë private.

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë Familjare, Dr. Lilija Çolakova Dervishova, tha për “Sloboden Pecat” të Shkupit se ai është mjek i lartë me përvojë të madhe dhe se i gjithë profesioni i mjekësisë është në tronditje nga kjo tragjedi.

Nga MPB-ja është bërë e ditur se A.T. (67) nga Shkupi është gjetur me plagë thike në veturën e tij Kia në parkingun para poliklinikës së përmendur. Ai u gjet, thonë ata, nga djemtë e tij, të cilët e kërkonin pasi ai nuk u kthye në shtëpi pas punës.

Policia po ndërmerr të gjitha masat për zbardhjen e këtij rasti, ndërsa nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup thonë se në vendngjarje janë kryer hetime dhe është urdhëruar kryerja e obduksionit. Dhoma e Mjekëve dënoi ashpër vrasjen e mjekut dhe theksoi se asnjë lloj dhune në shoqëri nuk duhet toleruar, sepse dhuna nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e problemeve.

“Theksojmë kërkesën publike që institucionet kompetente të veprojnë urgjentisht për këtë rast dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe, në përputhje me rrethanat, për gjetjen dhe sanksionimin e autorit”, thuhet në deklaratën e Odës së Mjekësisë

(Kosova Sot Online)