Mediat ruse minimizojnë kërcënimin ndaj shqiptarëve të Kosovës para ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999

  • A.P /
  • 29 March 2024 - 20:30
Mediat ruse minimizojnë kërcënimin ndaj shqiptarëve të Kosovës para ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999

24 marsi shënoi 25 vjetorin e fillimit të operacionit Forca e Aleatëve – fushatës ajrore të NATO-s kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë.

Bombardimet përfunduan më 10 qershor të vitit 1999, pasi Presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç ra dakord të tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe të lejonte vendosjen e forcave paqëruajtëse.

Më 25 mars, agjencia shtetërore ruse e lajmeve Sputnik mohoi shkakun e ndërhyrjes ushtarake – faktin që ndaj shqiptarëve në Kosovë po ushtrohej spastrim etnik.

“Para një çerek shekulli, bota e kuptoi se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e shohin globin si një fushë të tyre lojrash, ku bëjnë çfarë të duan,” shkruante Sputnik.

Më 24 mars, 1999, shtetet perëndimore filluan të bombardojnë Beogradin, kryeqytetin e Jugosllavisë, nën pretekstin e sforcuar ‘për të mbrojtur’ kosovarët”, vazhdonte Sputnik.

Pretendimi i agjencisë Sputnik se nuk ekzistonte një pretekst për t’i mbrojtur shqiptarët e Kosovës është i rremë.

Studiuesit kanë debatuar se çfarë e shtyu NATO-n të fillonte fushatën ajrore kundër Jugosllavisë, që zgjati dy muaj e gjysmë dhe, nëse “ndërhyrja humanitare” ishte e ligjshme, sipas përkufizimit të ligjit ndërkombëtar.

Megjithatë, zhvendosja e dhunshme e qindra mijëra njerëzve, disa raste të vrasjeve në masë dhe shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës i paraprinë fushatës bombarduese të NATO-s.

Rreth 250,000 shhqiptarë të Kosovës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre para vjeshtës së vitit 1998. Përballë frikës të një katastrofe humanitare, ngjarjet si masakra e Drenicës në shkurt dhe mars të vitit 1998 dhe masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, kontribuan në vendimin e NATO-s për të përdorur forcë ushtarake.

(Kosova Sot Online)