Pas skandalit me falsifikimin e dokumentacionit të mishit, Ministri Peci merr masa – pezullohet nga puna inspektori i AUV

  • S.A /
  • 03 April 2024 - 13:28
Pas skandalit me falsifikimin e dokumentacionit të mishit, Ministri Peci merr masa – pezullohet nga puna inspektori i AUV

Komisioni Disiplinor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka pezulluar nga puna inspektorin Qenan Maxhuni, i cili sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, falsifikonte vendin e origjinës për mishin që dyshohet se kompania “Apetit” e importonte nga Brazili dhe e shiste në Shqipëri si mish i prodhuar në Kosovë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në vendimin e AUV,  thuhet “Pezullohet nga marrëdhënia e punës sipas detyrës zyrtare në shërbimin civil; z.Qenan Maxhuni, Inspektor Veterinar i AUV’së”.

“Të pezulluarit sin ë pikën 1 të këtij vendimi i pezullohet marrëdhënia e punës në AUV, deri në marrjen e vendimit tjetër .I pezulluari do të kompensohet me 50 të pagës mujore sipas dispozitave ligjore në fuqi, pezullimi mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet tutje në vendim.

“Komisioni duke u bazuar në ndjeshmërinë e çështjes, bazuar në neni 59 paragrafi 4 dhe nenit 69 paragrafi 1 nën paragrafët 1.1 të Ligjit nr 08/L-197 për Zyrtarët Publik, vendosi që nëpunësi z.Qenan Maxhuni në pozitën e Inspektor Veterinar të pezullohet sipas detyrës zyrtare, sepse ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil ndaj të cilit ka filluar procedura disiplinore, pengon hetimin disiplinor ose mund të cenoj ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij”, thuhet në arsyetim. Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për kompaninë “Apetit sh.p.k”, pas raportimeve.

Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi  ka thënë  se tashmë është formuar Komisioni professional që do të gjurmojë të gjitha hyrje-daljet e biznesit për të vërtetuar dyshimet e ngritura.

Për këtë rast janë informuar edhe Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinë se produktit ushqimore( mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur. Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin ( gjurmushmërin/përputhshmërinë) e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat ( doganat, ATK). Të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave qe burojnë nga kontrollet e detajuara. Pas kompletimit të plotë të hulumtimit do të ju mbajmë të informuar mbi të gjeturat”, ka thënë Thaçi.

(Kosova Sot Online )