Vllasi: Kosova nuk duhet të legalizoj valutë tjetër përveç euros, Serbia nuk ka probleme me transferimin e dinarit

  • S.A /
  • 04 April 2024 - 10:53
Vllasi: Kosova nuk duhet të legalizoj valutë tjetër përveç euros, Serbia nuk ka probleme me transferimin e dinarit

Sot në Bruksel do të takohen dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.Në tavolinën e Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq, sërish do të jetë çështja e dinarit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kryenegociatori i Kosovës, Bensik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në takimin e fundit, nuk u dakorduan për asgjë.

Pas takimit u tha nga pala kosovare se propozimet që janë bërë për dinarin janë shumë larg njëra-tjetrës. Lidhur me temën për dinarin ka folur avokati dhe njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi. Ai ka deklaruar se Kosova nuk duhet të legalizoj valutë tjetër. Vllasi thotë se Serbia nuk ka probleme lidhur me transferimin nga euro në dinar.Me pranimin e euros del se Serbia po e njeh Kosovën si shtet, ky është problemi i serbëve, sipas Vllasit. “Shfrytëzuesve të ndihmave financiare nga Serbia në Kosovë më shumë punë iu bënë euro sesa dinari. Serbia nuk ka asnjë problem që ato shuma t’i transferoi në euro. Problemi është se euro është valutë zyrtare në Kosovë sipas Kushtetueses dhe del se ajo po e njeh Kosovën si shtet, ai është problem i Serbisë. Nëse ajo gjen mundësi që përmes një banke të ndonjë shteti tjetër ato para t’i transferoi të shfrytëzuesit në Kosovë, është puna e saj. Kosova nuk duhet të legalizoi valutë tjetër në qarkullim zyrtar në Kosovë”, deklaroi.

Vllasi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e sheh të mundshëm pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këtë, Vllasi thotë se e sheh si obligim e jo si kusht.

‘’Formimi i këtij asociacioni ka mbetë si obligim pas pranimit të Kosovës në KiE e jo si kusht. Nuk është problem që ky Asociacion të formohet si formë e bashkëpunimit të serbëve dhe komunave me shumicë serbe, për disa çështje me interes specifik të tyre si shembull në arsim, kulturë, gjuhë, traditë’’ thekson ai

Ai shprehet se themelimin e Asociacionit  e sheh përbrenda sistemit kushtetues të Kosovës e jo si një nivel të posaçëm i pushtetit serb nga Serbia.

‘’Gjithsesi, përbrenda sistemit Kushtetues e juridik të Kosovës, jo si nivel i posaçëm i pushtetit për serb dhe jo si e synon Serbia. Madje, kjo fare nuk është punë e negocimit me Serbinë si shtet tjetër. Është punë e brendshme e Kosovës dhe nevojë e qytetarëve të saj serb’’ potencon ai.

Vllasi thotë se çështja e Asociacionit nuk duhet të mbetët shkas i presionit ndaj Kosovës.

‘’Nuk di. Për këtë pyetni  Kurtin. Partnerët perëndimor dëshirojnë një deklarim të qartë të pushtetit kosovar se ky asociacion do të bëhet. Askush nga partnerët e jashtëm nuk kërkon që kjo të bëhet në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si shkas presionit ndaj neve’’ deklaron Vllasi.

(Kosova Sot Online )