25-vjet nga Masakra e Rezallës, Maqedonci: Kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni ynë

  • E.k /
  • 05 April 2024 - 12:51
25-vjet nga Masakra e Rezallës, Maqedonci: Kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni ynë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka përkujtuar 25 – vjetorin e masakrës në Rezallë të Skenderajt, përcjell “Kosova Sot Online”.

Maqedonci ka shkruar se kjo masakër si dhe shumë të tjera, mbetet e pashlyer në memorien tonë kolektive të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Tutje, ai ka shkruar se kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni i tyre.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 25 vjet që nga masakra në fshatin Rrezallë të Skenderajt. 25 vjet që nga dita kur në mënyrë mizore u ekzekutuan 98 shqiptarë nga ushtria dhe policia serbe.

Nga 5 prilli i vitit 1999 janë 98 familje që çdo ditë ndiejnë mungesën e tyre, e padyshim kjo masakër si dhe shumë të tjera, mbetet e pashlyer në memorien tonë kolektive të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Tre të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e gjallë e tmerrit të përjetuar, e njëkohësisht e forcës që populli ynë ka për t’u ringritur.

Kthimi i trupave të të pagjeturve është misioni ynë, e mos përsëritja e krimeve të tilla kundër njerëzimit është detyrë e çdo shteti proevropian që beson në vlera të demokracisë, në sovranitet të shteteve e në liri të njeriut.

Në përvjetore të tilla kujtojmë rëndësinë e paqes dhe boshllëkun që le mungesa e saj.

Lavdi gjithë martirëve!

(Kosova Sot Online)