Zyrtari i KFOR-it në speciale pyetet për uniformat që mbante UÇK-ja, tha se mendon që të zezat i mbante policia ushtarake

  • 22 May 2024 - 12:02
Zyrtari i KFOR-it në speciale  pyetet për uniformat që mbante UÇK-ja, tha se mendon që të zezat i mbante policia ushtarake

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Në fillim të seancës, dëshmitari është marrë në pyete nga prokurorja Vega Iodice, e cila u fokusua në uniformat anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës sa KFOR-i ishte me mision në Prizren nga 13-14 qershorit 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një video në të cilën thuhej se dukej një person me uniforma të zeza për të cilat ai tha se relativisht shpesh ka parë veshje të tilla.

“Po realitivisht shpesh në ato ditë janë parë uniforma të tilla”, tha ai.

Fritsch tha se nuk është i sigurt se cilat formacione i përdornin këto uniforma, por që mendon se i përdorte policia ushtarake e UÇK-së.

Mirëpo, dëshmitari tha se kishte përzierje të uniformave dhe nuk ishin të gjithë anëtarët e njëjtë që përdornin uniforma të njëjta.

“Po, kishte përzierje të ndryshme të uniformave të pjesshme. Kishte persona që ishin të veshur me të zeza, disa kishin të veshur me lara-lara, disa ishin të veshur me uniforma të përziera e të tjerë. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kishin një shenjë dalluese e që ishe shqiponja e zezë”, tha Fritsch.

Ai gjithashtu tha se gjatë kohës që kanë qenë me mision në Prizren, në ditët e para kanë parë patrullime të UÇK-së në rrugë.

“Po, gjatë ditëve të para, pasi ne u futëm në vend, domethënë pas datës 13 dhe 14 qershor relativisht për një periudhë të shkurtë i kemi parë këto gjëra”, tha Fritsch.

Oficeri i KFOR-it tha se patrullimi i UÇK-së në rrugët e Prizrenit ishte për shkak se këta të fundit donin të mbushnin vakumin që ishte krijuar pasi që ushtria jugosllave ishte në largim dhe KFOR-i ishte në ardhje.

“Kur forcat e KFOR-it u futën në Kosovë, pala jugosllave duhej te tërhiqej sipas marrëveshjes nga Kosova brenda pak ditësh. Pra, forcat e KFOR-it po futeshin ne Kosovë dhe për një periudhë të shkurtër kohore ekzistoi një lloj vakumi dhe UÇK-ja donte që ta mbushte këtë vakum…”, tha Fritsch, duke shtuar se në ditët e para kishte prani të madhe të UÇK-së në qytet ndërsa më vonë kishte vetëm pak individë.

Me kaq përfundoi pyetjet Prokuroria, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

(Kosova Sot Online )