Ballkani sonte synon t’ia bëjë sefte Kupës, derisa Prishtina mendon për Evropë

  • 22 May 2024 - 09:59
Ballkani sonte synon t’ia bëjë sefte Kupës, derisa  Prishtina mendon për Evropë

Ballkani dhe Prishtina do të përballen mes vete sot në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kampioni i freskët i Kosovës dhe fituesi aktual i Kupës do ta kërkojnë këtë trofe prestigjioz në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Therandasit. pasi e fituan titullin e kampionit dhe Superkupën në vitet e fundit, do ta kërkojnë trofeun e parë të Kupës në histori të tyre.

Ata janë të vendosur ta mbyllin sezonin në mënyrë perfekte, ndërsa shkëlqyen në dy sezonet e fundit edhe në garat evropiane.

Megjithatë, kohëve të fundit ata nuk i kanë punët fort mirë në përballjet me prishtinasit dhe duan ta thyejnë këtë tabu.

Nga ana tjetër, prishtinasit e shohin këtë lojë si një mundësi ideale dhe jetike për ta siguruar kualifikimin në garat evropiane.

Prandaj edhe finalja e Kupës për ta është për jetë a vdekje.

Prishtinasit synojnë të rikthen në garat evropiane pas dy vjetësh pasi vjet nuk ishin licencuar nga Federata e Futbollit dhe s’mundën të luanin në Evropë.

Prishtina s’ka humbur nga Ballkani qe një vit e gjysmë, përkatësisht qe 8 ndeshje, duke i regjistruar 2 fitore e 6 barazime në të gjitha garat.

Bardhekaltrit e kishin mundur ekipin Portokall e Zi në Superkupë dhe në finale të Kupës.

Kryeqytetasit do ta zhvillojnë finalen e 12-të dhe do ta kërkojnë triumfin e 9-të në Kupë, kurse Ballkani do ta luajë finalen e dytë dhe do ta kërkojë trofeun e parë të Kupës.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Prishtinës do të luhet sot në Drenas duke filluar nga ora 15:00

(Kosova Sot Online )