
Kurti – Blairit: Populli i Kosovës do ta kujtojë përherë përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur sot në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, në kuadër të nisjes së aktiviteteve në shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit, përcjell “Kosova Sot Online”.
Së bashku, ata kujtuan ngjarjet e rëndësishme që kulmuan me lirinë e Kosovës, duke diskutuar vendimet dhe veprimet kritike të marra gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, të cilat ishin kyçe në përfundimin e luftës dhe sigurimin e paqes, njofton Zyra e Kryeministrit.
Fillimisht, Kurti e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar dhe ish-kryeministrin Blair për ndihmën dhe kontributin në çlirimin e Kosovës, rolin e tij të rëndësishëm dhe mbështetjen e palëkundur gjatë luftës në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e vendit nga pushtuesit serb dhe përkrahjen në etapat e shtetndërtimit të vendit tonë.
“Kryeministri shtoi se është i nderuar të mirëpresë Tony Blair sot, ku shtoi se udhëheqja dhe vendosmëria e tij ishin vendimtare në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe për të siguruar që drejtësia dhe paqja të mbizotërojnë. “Populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe”, u shpreh kryeministri”, njofton zyra e tij.
ZKM thotë se në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me ç’rast “Kryeministri e njoftoi me progresin e arritur, duke theksuar se Kosova është demokracia më e përparuar e rajonit dhe me rritjen më të madhe ekonomike”.
(Kosova Sot Online)