
Minatorët të enjten në protestë para Qeverisë: Kërkojmë bukën e gojës

Minatorët e Trepçës do të dalin në protestë të enjten para Qeverisë së Kosovës me kërkesën që t’u jepen pagat për gati tre muaj të papaguar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kështu ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila tha se situata e tyre është e rënduar dhe do të shfrytëzojnë protestën paqësore si mjetin demokratik për të kërkuar “bukën e gojës”.
“Mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situate krize për ekzistence, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik”, thotë Sindikata, raporton Express.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës
Minatorët e Trepçës së Kosovës kanë marrë vendim për të organizuar proteste paqësore për shprehjen e pakënaqësive për padrejtësitë e vazhdueshme që tashmë janë bërë të ditura, pra mosrealizimi i pagave për minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj.
Protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ditën e enjte, me datë 15.08.2024 nga ora 12:00.
Marshimi do të fillojë nga sheshi Zahir Pajaziti-Prishtinë deri pranë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguara për gati tre muaj.
Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situate krize për ekzistence, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik. Me fat!
(Kosova Sot Online)