Ukraina: E drejta ndërkombëtare u godit rëndë nga dështimi për ta arrestuar Putinin

  • A.P /
  • 03 September 2024 - 11:24
Ukraina: E drejta ndërkombëtare u godit rëndë nga dështimi për ta arrestuar Putinin

Vladimir Putin po e viziton Mongolinë pa asnjë shenjë se vendi pritës do t’i përfill thirrjet për ta arrestuar atë me një urdhër ndërkombëtar për krime të dyshuara lufte që rrjedhin nga pushtimi i Ukrainës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dështimi i Mongolisë për ta arrestuar Putinin i dha një “goditje të rëndë” sistemit të së drejtës penale ndërkombëtare, tha të hënën Ministria e Jashtme e Ukrainës ndërsa presidenti rus mbërriti për bisedime që ka të ngjarë të fokusohen në një tubacion të ri gazi që e lidh Rusinë dhe Kinën. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhiy Tykhyi, tha: “Mongolia e ka lejuar një kriminel të akuzuar t’i shmanget drejtësisë, duke ndarë kështu përgjegjësinë për krimet e luftës”.

Ky udhëtim është i pari i Putinit në një vend anëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale që kur ajo lëshoi ​​urdhër arrest për të rreth 18 muaj më parë. Përpara vizitës së tij, Ukraina i bëri thirrje Mongolisë që t’ia dorëzonte Putinin gjykatës në Hagë dhe Bashkimi Europian shprehu shqetësimin se Mongolia mund të mos e ekzekutonte urdhrin.

Anëtarët e gjykatës ndërkombëtare janë të detyruar t’i arrestojnë të dyshuarit nëse është lëshuar një urdhër arresti, por Mongolia është një vend pa dalje në det, shumë i varur nga Rusia për karburant dhe një pjesë të energjisë elektrike të saj. Gjykata nuk ka një mekanizëm për t’i zbatuar urdhërat e saj.

Gjykata Penale Ndërkombëtare e ka akuzuar Putinin si përgjegjës për rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina. Të hënën, Bashkimi Europian shprehu shqetësimin që urdhri i Gjykatës Penale Ndërkombëtare mund të mos ekzekutohej dhe tha se e kishte ndarë këtë me autoritetet mongole.

(Kosova Sot Online)