Radojiçiq vetë i 45’ti nën aktakuzë të Kosovës për Banjskën

  • A.P /
  • 11 September 2024 - 13:46
Radojiçiq vetë i 45’ti nën aktakuzë të Kosovës për Banjskën

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër 45 personave lidhur me rastin Banjska. I akuzuari kryesor është Milan Radojiçiq, i cili publikisht e ka marrë përgjegjësinë për këtë rast, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vonesën për ngritjen e aktakuzës, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale e arsyetoi me rezultatet e ekzaminimeve që ishin dërguar jashtë vendit.

“Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave, pas analizimit të secilës prej tyre, duke u mbështetur në dyshimet e mirëbazuara, sot kemi ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit, ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesës së kësaj aktakuze”, deklaroi ai në konferencën e thirrur për media.

Hetimet për këtë rast u cilësuan si më komplekset që ka kryer ndonjëherë Prokuroria Speciale nga prokurori i rastit, Naim Abazi. Ai u shpreh i bindur se aktakuza në të cilën ka punuar është “e fuqishme”.

Abazi zbuloi se në hetimet për Banjskën janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtarë për zbatimin e ligjit.

“Ky rast përfshinë ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal i përbërë prej 45 personave, të cilët dyshohen për kryerjen penale që lidhen me veprat kundër rendit kushtetues juridik dhe terrorizmin. Hetimet për këtë rast kanë qenë ndër hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo prokurori dhe ky proces ka kërkuar hetim intensive ku janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit”, deklaroi Abazi.

Gjatë hetimeve disa mujore, Abazi tha se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera, dhe qindra dokumente që përmbajnë prova kritika për këtë rast.

Theksoi se ndër personat që i është ngritur aktakuzë është edhe Millan Radojiçiq.

“Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme në këtë grup. Ndër të akuzuarit kryesor është edhe Millan Radojiçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi.

Ai zbuloi se gjatë hetimit të këtij rasti kanë pasur ndihmë edhe nga ndërkombëtarët.

Nëpërmjet kërkesave për bashkëpunim juridik drejtuar shteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prokurori tha se kanë zbuluar rrugët e financimit të këtij grupi dhe provat për ngritjen e aktakuzës.

“Në kuadër të hetimit kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik dhe ndërkombëtar duke përfshirë vendet e BE’së, ShBA dhe shtetet e tjera, të cilat kemi arritur të sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar prova që ndihmojnë në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”, tha Abazi.


(Kosova Sot Online)