Netanyahu synon t’i kthejë të shpërngulurit në Izraelin verior
Izraeli ka zgjeruar qëllimet e deklaruara të luftës për të përfshirë mundësinë e kthimit të banorëve në komunitetet në Izraelin verior që janë evakuuar për shkak të sulmeve të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Vendimi u miratua gjatë një takimi brenda natës të kabinetit të sigurisë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, tha zyra e tij. Dhjetëra mijëra izraelitë u evakuuan nga qytetet përgjatë kufirit verior që janë dëmtuar rëndë nga raketat dhe nuk janë kthyer ende, shkruan The Guardian.
Më vete, të hënën, ministri i mbrojtjes i Izraelit tha se “mundësia për një marrëveshje po mbaron pasi Hezbollahu vazhdon të ‘lidhet’ me Hamasin dhe refuzon t’i japë fund konfliktit. Prandaj, e vetmja mënyrë që mbetet për të siguruar kthimin e komuniteteve në Izraelin verior në shtëpitë e tyre do të jetë “nëpërmjet veprimeve ushtarake”.
Ky lajm vjen pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Kajro për të diskutuar një propozim për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve. Ky do të jetë udhëtimi i tij i dhjetë në rajon që nga shpërthimi i luftës pothuajse një vit më parë.
Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, ka paralajmëruar për pasojat shkatërruese të përshkallëzimit të mëtejshëm rajonal të konfliktit.
Në një deklaratë nga departamenti i mbrojtjes së SHBA-së, ai “ripohoi domosdoshmërinë e një armëpushimi dhe marrëveshjeje pengjesh dhe se Izraeli duhet t’i japë kohë negociatave diplomatike për të pasur sukses, duke vënë në dukje pasojat shkatërruese që përshkallëzimi do të kishte mbi popullin e Izraelit, Libanit dhe rajon më të gjerë”.
(Kosova Sot Online)