Kaos pas vërshimeve në Bosnjë, shkëmbinj e çarje në rrugë

  • A.P /
  • 04 October 2024 - 11:00
Kaos pas vërshimeve në Bosnjë, shkëmbinj e çarje në rrugë

Në Bosnje e Hercegovinë është raportuar për viktima nga vërshimet që u shkaktuan pas reshjeve të shiut gjatë natës. Gjendja më e rëndë është në territorin e komunës së Jabllanicë ku reshjet shkaktuan edhe rrëshqitje të dheut, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kështu tha Marija Buhaç, kryeministrja e Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK).

Ajo nuk specifikoi për sa viktima bëhet fjalë.

“Fatkeqësisht, sipas informacioneve të para, kemi edhe viktima njerëzore. Kemi kërkuar ndihmë nga Forcat e Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës që të dërgojnë një helikopter për të shpëtuar jetën e një fëmije në Jabllanicë”, tha ajo gjatë një konference të jashtëzakonshme për media në Mostar më 4 tetor.

Mediumi boshnjak “Vijesti.ba” ka publikuar edhe pamje të rrugëve të çara e shkëmbinj në rrugë si pasojë e vërshimeve.

Sipas informacioneve të fundit dhe fotografive të bëra aty pranë, gjendja në rrugët në Hercegovinë është jashtëzakonisht e vështirë për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe vërshimeve që kanë goditur këtë pjesë të vendit, e veçanërisht e prekur është Jabllanica, raporton ky medium.

Fotot tregojnë një rrëshqitje të dheut në rrugën Konjic-Ostrozhac, si dhe shkëmbinjtë e rënë në rrugën Jabllanicë-Mostar. Lumi Neretva pothuajse ka dalë nga brigjet e tij, duke e përkeqësuar më tej situatën në terren.

Pak më herët Shërbimi i Shpëtimit Malor (SHSHSH) Jabllanicë u bëri thirrje banorëve që të kontaktojnë SHGJSH-në dhe zjarrfikësit për ndihmë, në mënyrë që të përdorin forcat e përbashkëta për të shpëtuar të rrezikuarit nga vërshimet e shkaktuara nga reshjet e dendura gjatë natës.

Është konfirmuar se Jabllanica është plotësisht e bllokuar, raporton Vijesti.

“Policia na ka njoftuar se është bllokuar edhe hekurudha. Për momentin nuk mund të hyni e as të dilni nga Jabllanicë. Telefonat fiks janë duke punuar, por celularët nuk kanë sinjal”, thonë nga SHGJSH.

“Për shkak të vërshimeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut, një numër i madh i popullatës është në rrezik, ndërsa sipas informacioneve që disponojmë, ka një numër të madh të të lënduarve dhe të zhdukurve”.

 

(Kosova Sot Online)