Donika Gërvalla shpreh mirënjohje ndaj Kanadasë

  • A.P /
  • 14 November 2024 - 14:00
Donika Gërvalla shpreh mirënjohje ndaj Kanadasë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me të cilën kanë diskutuar për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, sfidat e sigurisë në rajon dhe rolin mbështetës të Kanadasë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Gërvalla, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës dhe gjithashtu përkushtimin për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërshtetërore përmes bashkëpunimeve të reja, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo tutje theksoi se ky bashkëpunim do të ketë synim jo vetëm politikën e jashtme, por edhe në fushat si ekonomia, arsimi dhe teknologjia.

“Investimet strategjike dhe projektet e përbashkëta në sektorët ekonomik, kulturor dhe të sigurisë u vlerësuan si mundësi konkrete për të avancuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, me mërgatën tonë si një garanci për marrëdhënie të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.


(Kosova Sot Online)