Tusk: Bisedimet Ukrainë-Rusi për paqen mund të fillojnë

  • A.P /
  • 11 December 2024 - 09:39
Tusk:  Bisedimet Ukrainë-Rusi për paqen mund të fillojnë

Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se bisedimet e paqes për luftën në Ukrainë mund të fillojnë “në dimër”, një afat kohor që përkon me marrjen e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian nga Polonia më 1 janar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zoti Tusk ofroi pak detaje se ku, kur apo edhe kush do të përfshihej në negociata, por i tha kabinetit të tij se shpresonte se “efekti përfundimtar” i negociatave të BE-së do të rezultonte në paqe për Ukrainën.

Megjithatë, zoti Tusk sinjalizoi se Polonia, e cila ka qenë një mbështetëse e vendosur e Ukrainës fqinje që kur forcat ruse sulmuan në vitin 2022, do të jetë një pjesëmarrëse kryesore në bisedime.

“Unë vërtet dua që Polonia të jetë vendi që jo vetëm do të jetë i pranishëm, por do të vendosë tonin për këto vendime që do të na sjellin siguri dhe mbrojtjen e interesave polake”, tha kryeministri polak.

Zoti Tusk tha se Presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Varshavën më vonë këtë javë, për të biseduar rreth takimeve të tij fundjavën e kaluar me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi të martën se “vetëm vendosmëria” mund t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe të sjellë paqe të qëndrueshme.

(Kosova Sot Online)