Serbët akuzojnë njëri-tjetrin për blerje votash

  • A.P /
  • 05 February 2025 - 12:41
Serbët akuzojnë njëri-tjetrin për blerje votash

Reklama për vende pune në shëndetësi dhe për ndihmë financiare për të papunët nga buxheti i Serbisë… Pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga Qeveria e Kosovës… Të gjitha në këmbim të “votave të sigurta”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këto janë disa nga akuzat që po përshkojnë fushatën zgjedhore në mesin e komunitetit serb në Kosovë.

Një pjesë e tyre i referohet Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ndërsa të tjerat Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, udhëheqësi i së cilës, Nenad Rashiq, drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Kundërshtarët politikë të Listës Serbe thonë se dhënia e ndihmës sociale prej 20.000 dinarësh (rreth 170 euro) për 5.000 persona – e cila është paralajmëruar qysh vitin e kaluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “e rezervuar” ekskluzivisht për “votuesit e sigurt” të Listës Serbe.

Sipas tyre, zyrtarë të Listës Serbe janë duke i përgatitur edhe listat nëpër zyrat e veta.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa qytetarë në komunën e Graçanicës dhe atë të Leposaviqit, të cilët e pohojnë të njëjtën gjë, por nuk duan të flasin publikisht.

Zyrtarë të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në anën tjetër, akuzohen se kanë shpërndarë pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për të fituar vota.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej një deri në pesë vjet burgim për çdo person që kërkon ose përfiton ndonjë avantazh të padrejtë, me qëllim të votimit për një person të caktuar.

Akuzat ndaj Listës Serbe

Millija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ishte ndër të parët që, më 20 janar, tha se qytetarët e Zubin Potokut, në vend se të shkonin në Shërbimin Kombëtar të Punësimit të Republikës së Serbisë, drejtoheshin në zyrat e Listës Serbe “për t’u futur në lista” për marrjen e ndihmës prej 20.000 dinarësh, që shteti i Serbisë e ka premtuar për 5.000 të papunë.

Kjo ndihmë është paraparë me një vendim të Qeverisë së Serbisë, i cili është prezantuar nga vetë presidenti Vuçiq, pas mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë.

(Kosova Sot Online)