
Autoritetet në Serbi janë duke paralajmëruar miratimin e një 'deklarate të popullit'

Mes protestave të studentëve që zgjasin me muaj, autoritetet në Serbi janë duke paralajmëruar miratimin e një “deklarate të popullit” për Vojvodinën, që është një krahinë autonome në veri të Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ky hap është thënë se do të ndërmerret në përgjigje të iniciativave të supozuara separatiste në protesta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 7 shkurt se, javëve të fundit, janë rishfaqur iniciativat për t’i dhënë Vojvodinës autonomi më të gjerë.
Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se me disa mesazhe “kërkohet që Vojvodina të bëhet republikë, me disa të flitet gjuha vojvodinase e me disa të tjera duan që Vojvodina të ndahet prej Serbisë”.
Ai nuk specifikoi se kush i dërgon mesazhet e tilla.
Zyrtarë të tjerë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet kanë pohuar, gjithashtu, se “kërkesat separatiste” janë pjesë e protestave në Serbi.
Presidenca serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këto iniciativa e as për arsyet e sakta për miratimin e deklaratës së lartpërmendur.
REL-i e kontaktoi edhe Millenko Jovanovin, shef i grupit parlamentar të Partisë Përparimtare Serbe, por as ai nuk u përgjigj.
Aleksandar Popov, nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë për Radion Evropa e Lirë se pretendimet e Qeverisë serbe për separatizmin e Vojvodinës, janë pjesë e strategjisë “përçaj dhe sundo”.
“Asnjë nga figurat publike, as nga opozita, as nga njerëzit e shënjestruar nga mediat pro regjimit, nuk kanë përmendur deri më tani as ‘V’ prej Vojvodinës, kur bëhet fjalë për ndryshimet që janë të nevojshme”, thotë Popov.
Protestat e studentëve, sipas tij, kanë treguar unitet dhe flasin vetëm për kërkesat kryesore, “e ato janë që institucionet të nisin punën”.
Studentët – të cilët prej muajsh kanë bllokuar fakultetet në Serbi, për shkak të vdekjes së 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit – kërkojnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e këtij stacioni, ndëshkimin e sulmuesve të studentëve në protestat pas tragjedisë, pezullimin e procedurave ndaj protestuesve të arrestuar, si dhe rritjen e buxhetit për 20 për qind të arsimit të lartë.
Që nga ajo tragjedi, në Serbi janë mbajtur disa protesta, ku kanë marrë pjesë edhe qytetarë të tjerë. Por, në to, organizatorët nuk kanë thënë se shkëputja e Vojvodinës është kërkesë e tyre.
(Kosova Sot Online)