Kurti godet Prokurorinë: Po e keqpërdorin lirinë për ta luftuar Qeverinë

  • A.P /
  • 04 March 2025 - 10:57
Kurti godet Prokurorinë: Po e keqpërdorin lirinë për ta luftuar Qeverinë

Kryeministri Albin Kurti nga Gjilani është pyetur se pse nuk ka zbatuar urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pasi përsëriti ato që ka shkruar në letrën drejtuar Gjykatës, Kurti akuzoi Prokurorinë se më shumë është e interesuar “të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi”.

“Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj. Për shkak se është më shumë i interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë prokuroria e shtetit nuk ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë, po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit”.

“Nuk ka qeveri – edhe sipas organizatave prestigjioze – që e ka luftuar korrupsionin dhe krimin si qeveria jonë në këto katër vjet. Dhe po ashtu këtë e dëshmojnë edhe qytetarët e Republikës me mbështetjen masive që na e kanë dhënë në këto zgjedhjet e 9 shkurtit”.

“Luftimi i krimit dhe korrupsionit është tejet i rëndësishëm, por vetëm vëreni me kujdes se çfarë rastesh prioritizohen. Ka vite të tëra që denoncimet tona nuk trajtohen”.

“Së pari asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi ose nëse e refuzoj, kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Unë i mirëpres prokurorinë e shteti në Zyrën e Kryeministrit. Jo vetëm si dëshmitar apo edhe të pandehur. Qysh në dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pasë shumë të rëndësishme dëshminë time ai do të vinte tek ne”.

(Kosova Sot Online)