Kica: VV-së po i pengojnë 20 mijë votat e LDK-së në diasporë

  • A.P /
  • 06 March 2025 - 12:00
Kica: VV-së po i pengojnë 20 mijë votat e LDK-së në diasporë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica-Xhelili, tha se LDK-ja i mori rreth 20 mijë vota ne diasporë, ndonëse janë regjistruar 40 mijë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”. 

Përkundër kësaj, Kica – Xhelili thotë se kjo serish po i pengon Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tejet falënderues, megjithatë, ne kishim pritur më shumë! Degët e strukturat tona ishin angazhuar masivisht që në mërgatë t’i kthehej vota LDK-së, por arritëm përgjysmë rezultatin e synuar”, tha Kica-Xhelili transmeton Klankosova.tv

Ajo theksoi se VV-së nuk i penguan votat në konsullata, ku 80% ishin për VV, e as nuk i pengoi Martin Berishaj që barte vota.

“Nuk i penguan 80% e votës për VV në konsulata;

Nuk i penguan votat që i mbante lartë e poshtë Martini;

Nuk i penguan fletëvotimet për VV pa vule, e as dyshimet mbi trenin bulgar në plot komuna;

Nuk i pengonte Ministrja Gërvalla që përmes përfaqësive diplomatike organizonte tubime partiake;

Nuk po i pengon as tani kur eksponentë të VV e burri i ministres së drejtësisë sorollaten nëpër QNR si në bashqe, e kërkojnë nga zyrtarët e LDK të dalin jashtë “për t’i dalë fer”, si rrugaqë që vetëm në institucione publike s’e kanë vendin”, shtoi ajo.

Reagimi i nënkryetarës së LDK-së është ndaj pretendimeve të sekretarit të LVV-së, Alim Rama, i cili akuzoi disa kandidatë të Lidhjes Demokratike për manipulim.

“Parregullsitë pikësëpari kanë të bëjnë me rritjen artificiale të LDK-së me mbi 400% krahasuar me votimin në përfaqësi diplomatike, por ato bëhen edhe më serioze kur analizohen votat për kandidatin e kësaj partie, Hysen Çekaj, si dhe të disa kandidatëve tjerë. Derisa në Kosovë ai ka marrë 11,268 vota dhe vetëm 98 nga votimi në ambasada, pas numërimit të votave me postë ai renditet si kandidati i dytë më i votuar, me plot 12,000 vota. Mijëra fletëvotime të fotografuara nga vëzhguesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë një tregues se votimi për Çekajn dhe të tjerët është i kurdisur dhe i manipuluar siç duket nga një grup i organizuar. Në këto fletëvotime dallohet qartë një shabllon i përsëritur: votat shkojnë për kandidatët me numër Lumir Abdixhiku 1, Kujtim Shala 2, Doarsa Kica Xhelili 3, Hysen Çekaj 80, ndërsa më pas kandidatëve të tjerë si: Bahrije Hyseni 99, Alban Zogaj 22, Gazmend Muhaxheri 5, Jeta Rafuna Hasani 45, dhe Fatmir Asllani 61. Kjo shpërputhje e votave bëhet edhe më e dukshme kur shikohet dallimi mes votave të LDK-së në komuna të caktuara, siç është rasti i komunës së Skenderajt, ku numri i votave përmes postës nga mërgata 497 e tejkalon numrin e votave të marra në Kosovë 419”, deklaroi ai.

“Shumë fletëvotime që përmbajnë votën për Çekajn dhe të tjerët duken si kopje identike, ngjashmëri kjo që ngre dyshime mbi autenticitetin e tyre. Ajo që bie në sy është fakti se përmes votimit në konsullatën e Shtutgardit, ku ai jeton, Çekaj ka arritur të sigurojë vetëm 33 vota. Ndërkohë, në të gjitha konsullatat e tjera në Gjermani, përfshirë ambasadën në Berlin, ai ka arritur t’i marrë 22 vota. Në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në shtetet e tjera, votat për Çekajn shkojnë deri në 5. Parregullsitë dhe ndërhyrjet janë evidente, por mbetet e paqartë se ku ka ndodhur ato: gjatë regjistrimit të votuesve, në procesin e votimit me postë, në kutitë postare apo gjatë periudhës kur fletëvotimet kanë qenë nën administrimin e KQZ-së”.

(Kosova Sot Online)