KQZ po pret të kalojnë 48 orë për t’i shpallur rezultatet

  • A.P /
  • 06 March 2025 - 12:40
KQZ po pret të kalojnë 48 orë për t’i shpallur rezultatet

Dje ka përfunduar numërimi i të gjitha votave që u hodhën nëpër kuti votimi në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Pra, KQZ’së iu deshën 24 ditë që të numërojë votat e rregullta, votat e diasporës, votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara. Tash pritet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Më 9 shkurt në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Menjëherë nisi numërimi i votave të rregullta për subjekte politike. Pas përfundimit të tyre, KQZ nisi t’i numërojë votat për kandidatët për deputetë, proces i cili pati nisur një ditë me vonesë dhe përfundoi më 22 shkurt.

Pas tyre filloi numërimi i votave të diasporës, që në këto zgjedhje u bë në dy mënyra- përmes postës dhe në përfaqësitë diplomatike.

Në dorën e punonjësve të QNR’së radha u erdhi edhe votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara.

Të gjitha këto zgjatën 24 ditë. Dje përfundoi i gjithë procesi i numërimit.

KQZ u kritikua se hyri e papërgatitur në këtë proces pasi faqja e saj ra natën e zgjedhjeve teksa po rezultatet po shfaqeshin. Hetimet janë duke u zhvilluar për të parë se cilat ishin shkaqet e dështimit të faqes natën e zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online)