
Rikthehen kontrollet në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri

Marrëveshja e lëvizjes së lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës, nga 1 marsi ka pushuar së funksionuari për një periudhë dymujore. Gjatë kësaj kohe pikat kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, do të bëjnë përpunimin e të dhënave të drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve me procedurë të përshpejtuar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Udhëtarët që e shfrytëzojnë pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, nga 1 marsi duhet të paraqesin dokumentet e identifikimit, për arsye se nga kjo datë për dy muaj rresht do të bëhet përpunimi i të dhënave të sakta i automjeteve. Qytetarët vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë proces pasi, shprehen për lëvizje të lirë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Nga e premtja pasdite, të shtunën, të dielën dhe ditëve të festave, lëvizja e automjeteve në Vërmicë është pa kontrolle për automjetet me traga të Shqipërisë dhe Kosovës.
Pika kufitare e përbashkët Shqipëri-Kosovë, përpunon numrin më të madh të automjeteve dhe udhëtarëve që hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kufirit.
(Kosova Sot Online)