
'Në Ukrainë dhe Gaza, Trump e sheh se përfundimi i luftërave është më i vështirë'

Presidenti amerikan, Donald Trump po e kupton se retorika e fushatës për marrëveshjet e paqes nuk mund të sjellë fitore të shpejta ndërsa luftërat vazhdojnë, shkruan CNN në një analizë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ndërsa Trump bëri një hap të vogël përpara të martën me planin e tij për paqen në Ukrainë, një tjetër armëpushim, për të cilin ai e mori meritën, ra. Izraeli nisi një ofensivë të re kundër Hamasit në Gaza, duke vrarë qindra civilë.
Telefonata e presidentit amerikan me një Vladimir Putin kryesisht të pandryshueshëm, ndërkohë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rifilloi luftën në shkallë të gjerë, nxori në pah dy liderë, për të cilët prioritetet politike të tyre do të kenë më shumë rëndësi sesa ato të Trumpit. Kjo është atmosfera gjeopolitike e pafavorshme që e pengon ëndrrën e Trumpit për t’u bërë një figurë historike e paqes globale, një ambicie që ai e kishte parashikuar se do të realizohej sapo të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Ka gjithnjë e më shumë shenja se objektivat e Trumpit shkojnë përtej përfundimit të luftërave me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Përmbledhjet e bisedës së tij me Putinin vetëm sa i përforcuan frikërat e qeverisë ukrainase dhe aleatëve të saj europianë se Trump e sheh luftën si një çështje dytësore në përpjekjen e tij për t’iu afruar Moskës. Kjo shpjegon pse ai ushtroi presion mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që ta pranonte planin e tij për armëpushim 30-ditor, por e lavdëroi Putinin kur ky i fundit refuzoi ta pranonte atë të martën.
Ndërkohë, miratimi i heshtur i Washingtonit për rifillimin e bombardimeve në Gaza nga Netanyahu i dha fund përpjekjeve të të dërguarit të Trumpit, Steve Witkoff, për të siguruar lirimin e pengjeve dhe një marrëveshje të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës, e cila po e pengon qëllimin kryesor të administratës – një marrëveshje historike paqeje midis Izraelit dhe shteteve arabe. Por një ofensivë e re ajrore e SHBA-së kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen tregon se Trump tani është i fokusuar në një tjetër objektiv – rritjen e presionit ndaj Republikës Islamike për ta detyruar atë të hyjë në negociata mbi programin e saj bërthamor ose për t’i dobësuar më tej aleatët e saj rajonalë para një sulmi të mundshëm izraelit ose amerikan ndaj objekteve të saj bërthamore.
I rikthyer në pushtet, Trump i ka qortuar aleatët e SHBA-së në Europë dhe ka bërë pretendime ekspansioniste ndaj Kanadasë, Grenlandës dhe Panamasë. Por pyetja më e madhe e politikës së jashtme gjatë mandatit të tij të dytë është nëse dhe kur ai do të ushtrojë presion ndaj Putinit ose Netanyahut. Ambicia e tij e hapur për të fituar Çmimin Nobel për Paqe mund të varet nga kjo.
(Kosova Sot Online)