
Berisha: PD do të shpëtojë Shqipërinë nga diktatura e Edi Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me shqiptarët emigrantë në qytetin italian të Brescias, ku u prit me entuziazëm nga mbështetësit e opozitës. Gjatë fjalës së tij, Berisha ritheksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të sjellë një ndryshim rrënjësor në Shqipëri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Duke falënderuar komunitetin shqiptar për qëndrueshmërinë dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike, Berisha vuri theksin tek sfidat me të cilat është përballur opozita gjatë tre viteve të fundit.
“Nëse ka një forcë politike që mishëron vlerat shqiptare dhe ideale të lirisë, ajo është Partia Demokratike. Kaluan një periudhë të vështirë, me një opozitë të gjatë dhe një proces të rëndë rithemelimi, por nuk u dorëzuam,” deklaroi Berisha.
Në fjalimin e tij, ai u ndal edhe tek mbështetja që, sipas tij, PD ka marrë nga miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht nga Forza Italia, duke e konsideruar këtë një dëshmi e miqësisë së thellë mes dy vendeve dhe dy forcave politike.
“Udhëheqësit e Forza Italia na dhanë kurajo, qëndruan me ne në ditët më të vështira. E vazhduan traditën e të ndjerit Silvio Berlusconi, mikut më të madh të PD-së dhe të shqiptarëve. Kjo mbështetje nuk harrohet,” tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për vendosjen e një “regjimi autokratik” dhe shtoi se do të bëhet faktor i pandalshëm për “çlirimin e Shqipërisë nga diktatura moderne.”
“Ne u ringritëm nga hiri për një mision të shenjtë – mbrojtjen e interesit kombëtar. Nuk jemi këtu për interesa personale, por për t’i rikthyer Shqipërisë lirinë dhe dinjitetin që i takon,” përfundoi Berisha.
(Kosova Sot Online)