
Haradinaj godet Limajn: Kemi kërku vota për ndryshim

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, është deklaruar për gazetarë pas regjistrimit si deputet i legjislaturës së nëntë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të kuvendit, kuptohet se do të bëjmë konsulta me partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK, por besoj që konstituimi i kuvendit është në interes të të gjithëve më pastaj sikurse e dini Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë së krijimit të shumicës nga pozita”, tha ai.
Ai u pyet për raportet me Nismën.
“S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, shtoi ai.
Ai tha se ia ka dërguar një “shkresë” Limajt ku ia ka shprehur “shqetësimin për pozicionimin e hershëm, të parakohshëm e të befasishëm që e ka vështirësu pastaj krijimin e shumicës nga opozita”.
“Me VV i kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë. Për opozitën asnjë kusht”, tha ai kur u pyet nëse ka ndonjë kusht për me hy në koalicion.
(Kosova Sot Online)