
Gjermania bllokon dërgimin e 40 aeroplanëve të fuqishëm luftarakë në Turqi

Qeveria e përkohshme gjermane, e udhëhequr nga Socialdemokratët dhe të Gjelbrit, ka bllokuar eksportin e planifikuar të 40 aeroplanëve luftarakë Eurofighter Typhoon drejt Turqisë, raportoi mediumi gjerman Handelsblatt, duke iu referuar burimeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas burimeve nga qeveria gjermane, arsyeja kryesore për ndalimin e lejes së eksportit është arrestimi i politikanit opozitar turk, Ekrem Imamoglu, për akuza për korrupsion – një veprim që zyrtarët në Berlin e kanë përshkruar si “sulm ndaj demokracisë turke”.
Opozita në Turqi pohon se akuzat ndaj Imamoglu-t janë të motivuara politikisht.
Kujtojmë se ish-kryebashkiaku i Stambollit u arrestua më 23 mars, për shkak të dyshimeve për veprime korruptive. Akuzat ndaj tij përfshijnë blerjen e dyshimtë të tri vilave në një nga zonat më atraktive të Stambollit, përmes një kompanie ndërtimi që i përket familjes së tij, ku ai zotëron 60 për qind të aksioneve.
(Kosova Sot Online)