
Haxhiu: Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe

Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeterroristi Milan Radojiçiq dhe të akuzuarit e tjerë në arrati për sulmin terrorist në Banjskë, duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim dhe atë sa më parë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ajo ka thënë se gjykimi në mungesë mund të aplikohet edhe në rastin Banjska, por “që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”.
Sipas saj, Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe.
“ Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Çertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm. Saktësisht dy vite më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Millan Radojiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Listës Serbe, Igor dhe Slavko Simiq, si dhe kryetarët Dalibor Jevtiq dhe Goran Rakiq. Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.
(Kosova Sot Online)