Osmani e fton për një vizitë zyrtare në Kosovë kryeministrin e Malajzisë

  • A.P /
  • 02 May 2025 - 13:00
Osmani e fton për një vizitë zyrtare në Kosovë kryeministrin e Malajzisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në në Malajzi, u prit sot me nderime të larta shtetërore nga Kryeministri Anwar bin Ibrahim, në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Në këtë takim, Presidentja Osmani falënderoi Kryeministrin Anwar për mbështetjen e palëkundur që Malajzia i ka dhënë Republikës së Kosovës, duke theksuar se Malajzia ishte ndër shtetet e  para në botë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

Kryeministrin Anwar, Presidentja Osmani e falënderoi edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se ky vendim do të hapë mundësi të reja për forcimin e lidhjeve  ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve, por edhe në bashkëpunimin në sfera të interesit të përbashkët.

Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e Malajzisë në periudhat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga paslufta e deri më sot, ndaj falënderoi kryeministrin Anwar për vazhdimin e mbështetjes për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin nga shteti i Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, Presidentja Osmani e dekoroi Kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në sferën e ekonomisë, tregtisë, inovacionit, turizmit, dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Në këtë kontekst Presidentja Osmani shtroi nevojën e mbajtjes së një forumi ekonomik Kosovë–Malajzi.

Presidentja Osmani e ftoi Kryeministrin Anwar për një vizitë zyrtare në Kosovë, si dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta avancuar më tej këtë partneritet”, njoftoi Zyra e Presidentes së Kosovës.


(Kosova Sot Online)