Avokati serb dorëzon iniciativë ligjore për vlerësimin mendor të presidentit Vuçiq

  • A.P /
  • 06 May 2025 - 07:14
Avokati serb dorëzon iniciativë ligjore për vlerësimin mendor të presidentit Vuçiq

Avokati nga Novi Sadi, Miroje Jovanoviq, ka paraqitur në Gjykatën e Parë Themelore në Beograd një Iniciativë për nisjen e procedurës për heqjen e zotësisë për veprim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se bëhet fjalë për një dokument serioz prej 75 faqesh, i mbështetur në burime profesionale dhe juridike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një deklaratë me shkrim, Jovanoviq ka sqaruar se kjo iniciativë është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe se është e motivuar nga “shqetësimi për gjendjen mendore të presidentit të shtetit”.

“Iniciativa vë në dukje modele sjelljeje që, sipas bindjes dhe analizës sime, përmbajnë elemente të iluzioneve të thella, perceptimit të shtrembëruar të realitetit dhe identifikimit të rrezikshëm të vetes me shtetin dhe institucionet”, ka thënë Jovanoviq, raporton Danas

Ai ka kërkuar nga gjykata që procedura të nisë sipas detyrës zyrtare, si dhe të urdhërohet një ekspertizë e pavarur psikiatrike. Për më tepër, ai ka propozuar që, përpara marrjes së ndonjë vendimi, të jepet një afat prej 15 ditësh për dorëzimin e opinioneve të komunitetit profesional.

Sipas tij, ky hap është gjithashtu një formë solidariteti me studentët që prej nëntorit të vitit 2024 janë në protestë për mbrojtjen e institucioneve, të drejtave dhe lirisë.

“Iniciativa është formë juridike e mbështetjes së kërkesave të studentëve, sepse një shtet juridik nuk mund të mbijetojë nëse mungon përgjegjësia në krye të atij shteti”, ka theksuar avokati.

Jovanoviq u ka bërë thirrje ekspertëve të shëndetit mendor – psikiatërve, psikoterapistëve, psikologëve klinikë dhe etikëve – që të dërgojnë mendimet e tyre të pavarura në Gjykatën e Parë Themelore të Beogradit brenda afatit të dhënë.

Në fund, Jovanoviq ka sqaruar se kjo procedurë nuk ka efekt penal dhe nuk përjashton presidentin nga ndonjë përgjegjësi e mundshme ligjore penale, por është një proces civil që synon mbrojtjen e interesit publik dhe vlerësimin e aftësisë së individit për të kujdesur për të drejtat dhe detyrimet e tij.

(Kosova Sot Online)