Picula: Rënia e strehës në 'Stacionin Hekurudhor' të Novi Sadit simbol i korrupsionit

  • A.P /
  • 08 May 2025 - 15:15
Picula: Rënia e strehës në 'Stacionin Hekurudhor' të Novi Sadit simbol i korrupsionit

Rënia tragjike e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 qytetarë, është bërë simbol i korrupsionit sistemik, nepotizmit dhe mungesës së mekanizmave efektivë të kontrollit në Serbi. Kështu ka deklaruar eurodeputeti dhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, në raportin e tij të parë për këtë vend, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në paraqitjen e raportit në Parlamentin Evropian, Picula theksoi se situata politike në Serbi është “jashtëzakonisht e ndërlikuar”, veçanërisht gjatë gjashtë muajve të fundit.

Ai kritikoi ashpër gjendjen e mediave, që sipas tij “nuk janë as të lira, as të qasshme për të gjithë”, ndërsa rregullatori për media (REM) nuk funksionon, dhe drejtësia shpërndahet në mënyrë selektive.

Picula përmendi edhe rastet e publikimit të të dhënave personale të protestuesve, përdorimin e mjeteve të paligjshme ndaj tyre dhe ndjekjen nga shërbimet sekrete ruse. Sipas tij, qytetarë të BE-së janë ndaluar dhe dëbuar nga Serbia për postime në rrjetet sociale, ndërkohë që autoritetet serbe akuzojnë shtetet anëtare të BE-së për organizim të “revolucioneve me ngjyra”.

(Kosova Sot Online)