
Gjykata Supreme konstaton: 'Prishtina Parking' ka vepruar jashtë mandatit ligjor

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar disa dispozita të rregullores për parkingjet në Prishtinë, duke i cilësuar ato si kundërkushtetuese dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Vendimi vjen pas padisë nga organizata “Qendra për raste gjyqësore” kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”.
Dispozitat e rrëzuara përfshijnë bllokimin e veturave pas 10 minutave parkim, tarifat vetëm përmes telefonit dhe gjobat në vendparkime të ashtuquajtura “ilegale”. Gjykata ka theksuar se ndërmarrja publike ka vepruar përtej kompetencave ligjore, duke ndërmarrë masa që i takojnë vetëm policisë apo inspektoratit.
Pas këtij vendimi, “Prishtina Parking” nuk ka më të drejtë të bllokojë apo të gjobisë veturat, ndërsa Komuna e Prishtinës duhet të rishikojë rregulloren dhe të respektojë standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Gjykata Supreme ka konstatuar se ndërmarrja publike “Prishtina Parking” ka vepruar jashtë mandatit ligjor, duke kryer veprime që janë kompetencë ekskluzive e Policisë dhe inspektoratit komunal. Sipas aktgjykimit, bllokimi, gjobitja dhe bartja e veturave janë ndërhyrje të paligjshme pa vendim nga organet kompetente.
“Asnjë ndërmarrje publike nuk ka të drejtë të kufizojë lirinë e lëvizjes apo të ndërhyjë në pronën private pa bazë ligjore të qartë dhe pa një procedurë të rregullt administrative”, thuhet në vendim.
(Kosova Sot Online)