Abdixhiku takohet me ambasadorin e ri të OSBE’së, ia prezanton propozimin e LDK-së

  • A.P /
  • 04 June 2025 - 15:08
Abdixhiku takohet me ambasadorin e ri të OSBE’së, ia prezanton propozimin e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e ri të Misionit të OSBE’së në Kosovë, Gerard McGurk, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të LDK’së, në këtë takim është diskutuar rreth zhvillimeve aktuale politike në vend. Abdixhiku i ka prezantuar atij propozimin për një qeveri të tranzicionit.

“Në këtë takim, Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, veçanërisht në fushat e forcimit të institucioneve demokratike, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, promovimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore.

Po ashtu u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet LDK-së dhe OSBE-së në Kosovë, me fokus në avancimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe promovimin e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike. Kryetari Abdixhiku theksoi gatishmërinë e LDK-së për të kontribuar në thellimin e bashkëpunimit me OSBE-në dhe miqtë ndërkombëtarë që mbështesin rrugëtimin demokratik të Kosovës”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)