Kurti për takimin e djeshëm me Hamzën: Folëm për bashkëpunim

  • A.P /
  • 10 June 2025 - 12:51
Kurti për takimin e djeshëm me Hamzën: Folëm për bashkëpunim

Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, tha se gjatë takimit me kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, janë diskutuar vetëm çështje bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve dhe jo ndonjë marrëveshje politike për formimin e qeverisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kemi thënë në komunikatën tonë. Bashkëpunimin në shërbim të qytetarëve të të dy komunave, të dy anëve të lumit të Ibrit,” tha Kurti.

Deklaratën e bëri pas 147- vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit.

Dje Zyra e Kryeministrit tha se Kurti bashkë me ministrin në dorëheqje të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka takuar në zyrat e tyre respektive kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq dhe kryetarin e Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza.

Fillimisht ai takoi Atiqin, ndërsa më pas Hamzën “me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror edhe atij komunal dhe shtyrjen para të nismave e projekteve nga të cilat përfiton komuna dhe qytetarët e saj”.


(Kosova Sot Online)