Serbi që punonte në BIA e polici të Serbisë, do të dëbohet me forcë nga Kosova

  • A.P /
  • 14 June 2025 - 16:19
Serbi që punonte në BIA e polici të Serbisë, do të dëbohet me forcë nga Kosova

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se për N.V, bazuar në vendimin e MPB-së, kanë nisur procedurat për largimin me forcë nga territori i Kosovës pasi të njëjtit i është hequr shtetësia, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bëhet fjalë për N.V një ish-shtetas i Kosovës i cili ishte në të njëjtën kohë edhe pjesëtar i inteligjencës dhe policisë së Serbisë.

 “Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit të fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të kryej detyrat e saja kushtetuese dhe ligjore dhe të zbatojë vendimet e institucioneve shtetërore të vendit”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)