Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE`së

  • A.P /
  • 16 June 2025 - 12:27
Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE`së

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ZRrE-së që, sipas saj, dëmton prodhuesit, fabrikat dhe bizneset vendore, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

LBK e cilësoi këtë vendim si të padrejtë dhe njëanshëm, duke theksuar se ai nuk reflekton nevojat e ekonomisë dhe sakrificat e sektorit privat.

LBK bëri thirrje për unitet dhe reagim nga institucionet shtetërore, Kuvendi dhe Qeveria, për mbrojtjen e interesave të sektorit privat dhe stabilitetit ekonomik të Kosovës.Ata paralajmëruan se do të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm për të korrigjuar këtë padrejtësi.

Reagimi i plotë:

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës kërkon edhe njëherë pezullimin e menjëhershëm të vendimit të padrejtë të ZRRE-së!
Ky vendim dëmton rëndë prodhuesit, fabrikat dhe bizneset vendore, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në Kosovë.Vendim i padrejtë, i njëanshëm dhe i dëmshëm, i cili nuk reflekton as nevojat reale të ekonomisë, as sakrificat e sektorit privat në ndërtimin e Kosovës. Bizneset tona, fabrikat tona dhe punëtorët tanë nuk mund të jenë viktima të papërgjegjësisë institucionale dhe lojërave të errëta burokratike.

LBK nuk do të ndalet. Ky vendim do të rrëzohet.

Ne e kemi për detyrë të mos heshtim. Ky vendim është sulm direkt ndaj prodhimit vendor, ndaj konkurrueshmërisë, investimeve dhe vetë stabilitetit ekonomik të vendit. Nuk do të ndalemi derisa të rikthehet drejtësia dhe interesi i përbashkët kombëtar!

Thirrje për unitet dhe reagim institucionalLidhja e Bizneseve të Kosovës iu bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore – Kuvendit të Kosovës, Qeverisë, edhe disa përfaqësueseve të
Odave ekonomike, sindikatave dhe shoqërisë civile – të qëndrojnë përkrah sektorit privat në këtë betejë legjitime dhe jetike.Nuk është vetëm interes i biznesit – është mbrojtje e punës, e dinjitetit dhe e së ardhmes së Republikës së Kosovës.

Çdo vonesë është dëm ekonomik. Çdo heshtje është bashkëfajësi.
LBK do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë, ligjorë dhe demokratikë, për të korrigjuar këtë padrejtësi dhe për të mbrojtur interesin kolektiv të bizneseve dhe të qytetarëve të këtij vendi.

Bashkë për drejtësi ekonomike. Bashkë për Kosovën!Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK)


(Kosova Sot Online)