Beogradi pretendon se Kosova ka dëbuar edhe një polic

  • A.P /
  • 25 June 2025 - 15:30
Beogradi pretendon se Kosova ka dëbuar edhe një polic

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pretendoi se autoritetet e Kosovës e kanë dëbuar edhe një tjetër pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili jetonte në Kosovë, përkatësisht në Shtërpcë – komunë me shumicë serbe në jug të Ibrit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të kësaj zyreje, ky pjesëtar i MPB-së serbe po kthehej në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, kur u ndalua në pikën kufitare në Han të Elezit, u dëbua gjatë natës nga Kosova dhe aktualisht ndodhet në Serbi.

“Po vazhdon politika e ndjekjes së policëve serbë nga territori i Kosovës, të cilëve në këtë mënyrë po u shkelen të drejtat themelore të njeriut, të garantuara nga shumë konventa ndërkombëtare, ndërkohë që nuk kanë asnjë mbrojtje nga misionet ndërkombëtare, të cilat do të duhej t’u garantonin respektimin e të drejtave serbëve në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Polici i dëbuar, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, punonte në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Banjën e Nishit, aty ku ndodhet edhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, e cila është zhvendosur nga Kosova nga ana e Serbisë.

Sipas të dhënave të Zyrës për Kosovën, ky është polici i njëmbëdhjetë serb që është dëbuar nga Kosova. Megjithatë, autoritetet kosovare nuk kanë bërë të ditur se sa pjesëtarë të MPB-së serbe janë dëbuar deri më tani. Policia e Kosovës është deklaruar vetëm për rastin e parë më 15 qershor, kur është konfirmuar se një polici serb i ishte hequr shtetësia e Kosovës, me arsyetimin se kishte rrezikuar sigurinë kombëtare.

(Kosova Sot Online)