
Petkoviç: Kurti po vazhdon me militarizimin e veriut të Kosovës

Drejtori i zyrës serbe të ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtura “zyre serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, “po vazhdon me militarizimin e veriut” dhe se afër një shkolle në Zubin Potok po ndërton edhe një tjetër “pikë të fortifikuar policore”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Petkoviq ka shkruar në rrjetin social “X” se që nga ardhja e Kurtit në pushtet, në veri janë ndërtuar 22 stacione policore.
“Kurti po vazhdon me militarizimin e veriut të Kosovës. Afër shkollës fillore në Zubin Potok po ndërton edhe një tjetër “fortifikim policor të jashtëligjshëm”. Që kur ka ardhur në pushtet, Kurti ka ngritur 22 stacione dhe baza policore në veri, dhe objektet e uzurpuara serbe ua ka dorëzuar strukturave të tij parapolicore”, ka pretenduar Petkoviq në këtë propagandë.
Ai ka shtuar se “militarizimi i veriut, kryetarët e rremë dhe përndjekja e serbëve janë e vetmja politikë e Kurtit dhe Sveçlës”.
“E gjithë kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, sepse falangat e tij nuk kanë asgjë për të kërkuar në veri, as për të mbrojtur dikë, por vetëm për të terrorizuar serbët. A do të ndërmarrë tani diçka Bashkimi Evropian?” ka shkruar Petkoviq.
(Kosova Sot Online)