Gjykata vendos: Shtatë vjet burgim për burrin që shkaktoi aksidentin

  • A.P /
  • 03 July 2025 - 16:00
Gjykata vendos: Shtatë vjet burgim për burrin që shkaktoi aksidentin

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor K.P. për veprën “rrezikim i trafikut publik” dhe e ka dënuar me shtatë vjet burgim. Rasti ka ndodhur në vitin 2022, kur i pandehuri shkaktoi një aksident trafiku që rezultoi me vdekjen e dy personave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përveç dënimit me burg, atij i është shqiptuar edhe një dënim plotësues: ndalim për drejtimin e automjetit për një periudhë prej tre vitesh.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se “i pandehuri K.P. është gjetur fajtor për veprën e kryer më 30.06.2022, rreth orës 12:05 në lagjen Dardania në Gjakovë, kur nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik, duke qenë i vetëdijshëm se veprimi i tij mund të sjellë pasoja fatale. Ai ka besuar se aksidenti mund të shmanget, por në momentin e fundit, ai ka shkaktuar vdekjen e M. S. dhe S. G.”

I pandehuri kishte kryer një kthim të pasigurt nga ana e djathtë në të majtë, duke ia marrë përparësinë një autoambulance që po udhëtonte nga Peja për në Gjakovë me drita vezulluese dhe alarm sinjalizues. Autoambulanca, për të shmangur aksidentin, ka goditur makinën e të pandehurit, e cila më pas është rrokullisur dhe ka goditur një veturë tjetër. Si pasojë, autoambulanca ka devijuar jashtë rrugës dhe ka goditur një tjetër automjet.

Përveç viktimave, tre persona që ndodheshin në autoambulancë janë lënduar.

(Kosova Sot Online)