Tragjedi: Një person vdes pasi thithet nga motori i aeroplanit

  • A.P /
  • 08 July 2025 - 15:43
Tragjedi: Një person vdes pasi thithet nga motori i aeroplanit

Një burrë ka vdekur në aeroportin e Bergamos – Orio al Serio në Itali, pasi është thithur nga motori i një aeroplani që në atë moment po përgatitej për ngritje, raporton Corriere della Sera, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai thuhet se hyri me forcë në pistë duke vrapuar drejt aeroplanit që ishte në fazën e lëvizjes drejt nisjes.

Sipas asaj që raportojnë mediat italine, burri kishte nisur veprimet e tij jashtë aeroportit. Ai e ka braktisur veturën dhe ka nisur të vrapojë drejt brendësisë së aeroportit. Pasi e ka kaluar zonën e mbërritjeve – që ndodhet në katin përdhe – e ka hapur një derë sigurie që çon direkt në zonën e parkimit të aeroplanëve. Mendohet të jetë një burrë rreth 35 vjeç.

Aeroplani i përfshirë, një Airbus A319 i kompanisë Volotea, kishte destinacion aeroportin e Asturias në Santiago del Monte të Spanjës. Aeroplani ishte duke përfunduar manovrën e ashtuquajtur “pushback” – lëvizjen për t’u larguar nga vendqëndrimi.

Fluturimet në një nga aeroportet më të ngarkuara të Italisë u pezulluan nga ora 10:20 deri rreth orës 12:00, siç konfirmon Sacbo – kompania që menaxhon aeroportin – në një komunikatë. Kompania flet për një “incident të ndodhur në pistën e rrotullimit, shkaqet e të cilit janë ende nën hetim nga forcat e rendit”.

(Kosova Sot Online)