
Gjykata Kushtetuese vendos: Njihet e drejta e pensionit për punëtorët e larguar gjatë viteve ‘89-‘99

Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën e gjelbër për Ligjin që njeh të drejtën në pension për punëtorët e dëbuar nga puna gjatë regjimit të dhunshëm të viteve 1989–1999, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Vendimi u mor unanimisht në rastin KO35/24, të iniciuar nga Avokati i Popullit, i cili kërkoi shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-248.
Gjykata vlerësoi se neni 4 i ligjit, që shton nenin 8A në ligjin bazik për skemat pensionale, nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe as me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, vendimi konfirmon se nuk ka më diskriminim ndaj kategorive që më herët ishin përjashtuar nga e drejta për pension kontributpagues, siç ishin punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, ish-policët dhe punonjësit e gjyqësorit.
Me këto ndryshime ligjore është krijuar një skemë e re pensionale: "pension parcial kontributpagues i moshës", që lejon përfitimin e pensionit edhe në mungesë të 15 viteve stazh pune, për aq kohë sa dëshmohet se largimi nga puna ka ndodhur si pasojë e masave të dhunshme gjatë asaj periudhe. Nuk kërkohet më dëshmi për pagesë të kontributeve.
Gjykata e cilësoi këtë si një hap drejt barazisë dhe drejtësisë sociale, duke theksuar se ligji respekton standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, dhe ofron një ekuilibër të drejtë mes interesit publik dhe të drejtave të individëve.
(Kosova Sot Online)