
Osmani e ka pritur në takim shefin e Zyrës së BE’së në Kosovë

Presidentja Osmani e ka pritur të hënën në takim shefin e Zyrës së BE’së në Kosovë estonezin Aivo Orav, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga Presidenca, dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar situatës aktuale politike.
“Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian” theksohet në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur se Osmani gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE’së ndaj Kosovës dhe ka kërkuar që BE ta trajtojë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat.
Njoftimi i plotë
Presidentja Osmani priti në takim, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin diskutoi rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve të fundit.
Në fokus të takimit ishte çështja e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, hapat e mëtejmë, ndikimi i moskonstituimit në proceset e rëndësishme për vendin, si dhe në raportet me Bashkimin Evropian.
Presidentja Osmani dhe Ambasadori Orav diskutuan gjithashtu për një sërë çështjesh që ndërlidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku Presidentja ritheksoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave të padrejta ende në fuqi, si dhe të trajtimit të aplikacionit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat.
(Kosova Sot Online)