
Ekstradohet nga Gjermania një 27-vjeçar i dënuar me burgim në Kosovë

Një 27-vjeçar me inicialet L.M. është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë.
Policia tha se ai u pranua mbrëmë në Aeroportin e Prishtinës.
“Mbrëmë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, njësia për menaxhimin e urdhëresave – arrestimeve e Policisë së Kosovës, ka realizuar me sukses pranim-dorëzimin e shtetasit L.M., mashkull, 27 vjeç, i cili është ekstraduar nga shteti i Gjermanisë”, thuhet në njoftim.
Ai kërkohej me urdhëresë të organeve të drejtësisë për “vjedhje të rëndë”.
“I kërkuari ishte subjekt i një urdhërese të lëshuar nga organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës për veprën penale “Vjedhja e rëndë” – i dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim”, thuhet në njoftimin e Policia.
Pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, Policia tha se “personi është shoqëruar dhe dorëzuar në qendrën e paraburgimit Hajvali, për vuajtje të mëtejme të dënimit”.
“Operacioni është përmbyllur pa asnjë incident dhe në përputhje me standardet profesionale. Policia e Kosovës vazhdon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar për kapjen e personave të kërkuar dhe të zbatojë ligjin me përkushtim të lartë, në funksion të sigurisë publike dhe sundimit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online)