
Gjykata kërkon sanksione pasi Hungaria nuk e arrestoi Netanyahun

Një panel gjyqtarësh në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) ka raportuar Hungarinë pranë organit mbikëqyrës të gjykatës për dështimin në arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë vizitës së tij në Budapest në prill, duke deklaruar se kjo shkelje minon rëndë aftësinë e gjykatës për të sjellë drejtësinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas The Times of Israel, në një dokument të publikuar vonë mbrëmë, paneli prej tre gjyqtarësh ka shkruar se “detyrimi për të bashkëpunuar ishte mjaft i qartë për Hungarinë” dhe se dështimi për ta arrestuar Netanyahun “minon seriozisht aftësinë e Gjykatës për të realizuar mandatin e saj.”
Kujtojmë se Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk ka forcë policore dhe varet nga shtetet anëtare për të ekzekutuar urdhërarrestet. Ndërsa, organizata mbikëqyrëse e gjykatës, Asambleja e Shteteve Palë, ka kompetenca të kufizuara për të sanksionuar Hungarinë.
Raportohet se kjo çështje do të shqyrtohet në mbledhjen e saj vjetore në dhjetor.
Lideri hungarez, i konsideruar nga kritikët si autokrat dhe si penguesi më i madh i konsensusit brenda BE-së, ka mbrojtur vendimin e tij për të mos arrestuar Netanyahun. Gjatë vizitës, Viktor Orban deklaroi se angazhimi i vendit të tij ndaj ICC-së ishte “gjysmak” dhe ka nisur procesin për tërheqjen e Hungarisë nga gjykata.
(Kosova Sot Online)