
Deputetët sot e provojnë për herë të 53-të të konstituojnë Kuvendin

Sot është dita e fundit kur deputetët e Kosovës mund të përmbushin obligimin e tyre kushtetues për të konstituuar Kuvendin. Nëse s’ndodh kjo në përpjekjen e 53-të të tyre, “Kosova po hyn në territor të panjohur”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Nga ora 14:00 deputetët sot do të mblidhen në më pak se 48 orë në herën e fundit brenda afatit 30-ditor që Gjykata Kushtetuese iu dha atyre për të konstituuar Kuvendin me një aktgjykim që e nxori në qërshor. Për 29 ditë deputetët s’e përmbushën këtë obligim, ndërsa edhe për sot s’ka fort sinjale se seanca do të mund të prodhojë diçka. Nëse edhe sot s’bëhet konstituimi i Kuvendit, deputetët s’kanë të drejtë të mblidhen për dy javë, sipas një mase të përkohshme që nxori Kushtetuesja para se të nxjerrë një aktgjykim final për t’i dhënë qartësi një situate të paprecedentë që është krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Në sallën e Kuvendit dje shkuan edhe ambasadorë të vendeve perëndimore me një optimizëm se deputetët kosovarë do të reflektonin në seancën e djeshme, e cila u mendua të jetë edhe e fundit.
Por, skenari i njëjtë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndodhi edhe dje me nxjerrjen në votim të Komisionit për votim të fshehtë, i cili s’gjeti mbështetje në dhjetëra seanca. I vetmi dallim ishte caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për sot në më pak se 48 orë për të provuar për herë të fundit konstituimin e legjislaturës së nëntë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
(Kosova Sot Online)